#OccupyPrishtina

Oct 13


Ne jemi 99%, ju jeni 1%.

Me 15 tetor miliona njerëz në të gjithë botën do të marshojnë rrugëve të qyteteve të tyre. Miliona njerëz në Azi, Afrikë, Europë dhe Amerikë do të marshojnë në protestën për të drejtat politike, ekonomike e sociale. Është momenti që të gjithë ne të bashkohemi në lëvizjen globale, për protesta paqësore. Kësaj lëvizje, do t’i bashkohemi në solidaritet me karakterin politik të organizimit.                   

Nga Prishtina do të përçojmë zërin e solidaritetit me të gjitha lëvizjet në botë, gjithë aktivistët politikë e shoqërore, që synojnë ndryshimin global. Sepse, ndryshimi nuk ka kuptim nëse nuk është global. Të bashkuar në një zë, ne, popujt e botës do të shpallim lindjen e një fryme të re. Zërat e popujve të botës u bashkuan në një fillim të ri, në inagurimin e lëvizjes që do të sjellë botë të re. Kukullat e së tashmes, do t’i zëvendësojmë me aktorët kolektivë të së nesërmes që po lindë. Kalbja e vazhdueshme e këtij sistemi, po e gjenë shprehjen e vet politike në qeverinë/qeverisjen dhe strukturat politike të vendit.

Viti 2011 shënjoi një varg transformimesh politke në botë. Rënia e diktaturave në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, vazhdimin e luftës për liri e barazi i shumë popujve, demonstratat masive të studentëve gjithandej Europës dhe Azisë, lëvizjet e mëdha të punëtorëve për të drejtat e tyre ekonomike e sociale, e deri te lëvizja Okupo Wall Street. Të gjitha këto ndryshime ishin të paparamendueshme vitin e kaluar. Disa popuj e fituan lirinë e dinjitetin, por shumë të tjerë ende janë duke luftuar për çlirim. Solidariteti ndërkombëtar me të shtypurit është afirmim i vlerave univerzale, si liria, barazia e dinjiteti. Ne sit ë shtypur, e kemi obligim të solidarizohemi me të shtypurit e tjerë. 

Ne identifikohemi plotësisht me parullën kryesore të Lëvizjes Okupo Wall Street: ne jemi 99%, ju jeni 1%. Konsiderojmë se pushteti në Kosovë punon për të mirën e 1%shit. Pushteti dhe struktura politike në Kosovë paraqet shkeljen flagrante të vullnetit popullor, vlerat njëzore, mjedisin e përbashkët. Në fund, jemi ne, 99%-shi, ata që i paguajmë pasojat e pushtetit dhe strukturave politike të Kosovës.

Do t’ua bëjmë me dije elitave politike se jemi NE, 99%shi, ata që do të vendosim për këtë vend. Duke u angazhuar në demokraci direkte, ne nuk do bëjmë kërkesa për politikanët, sepse ne nuk besojmë se aty ekziston dikush të na dëgjojë. Sepse po të ishte dikush aty të na dëgjojë, nuk do kishte pasur nevojë për kërkesa. Ne e shpallim angazhimin në demokracinë e drejtpërdrejtë. Demokracia është shumë më e vlefshme se sa të lihet në dorë të elitave. Nuk jemi vegla të politikanëve që nuk na përfaqësojnë. Sepse ne e shpallim fundin e përfaqësimit, duke inaguruar aktivizimin në demokracinë e drejtpërdrejtë. Për ne, demokracia nuk nënkupton përfaqësimin; demokracia nënkupton lirinë, barazinë, dinjitetin, aksionin kolektiv dhe kolektivitetin.

Në kohën kur vendi ka mbi 43 për qind të papunë dhe 34 për qind në varfëri, me të ardhura më pak se 1,42 euro në ditë dhe 18 për qind në varfëri të skajshme me të ardhura më pak se 94 centë në ditë; kur kemi misione të huaja qeverisësë në vendin tonë; kur mbetemi vendi më i izoluar dhe vendi më me pa perspektivë në rajon, bashkimi është i domosdoshëm. Të bashkohemi kundër pabarzisë e eksploatimit ekonomik; kundër komedisë demokratike që ndodhë çdo ditë dhe gjithandej; kundër diskriminimit racor, kulturor e seksual; kundër kulturalizimit dhe etnicizimit të problemeve politike e ekonomike. Për këtë sistem, ne jemi asgjë - është koha të bëhemi gjithçka.



TË BASHKUAR, PËR NDRYSHIM GLOBAL

Në frymë të protestave globale #globalchange në Prishtinë të shtunën, 15 tetor, në ora 12.00 do të mbledhemi në Sheshin Nëna Terezë për të protestuar kundër gjendjes në nivelin vendor dhe global.